Shukrije Ramadani, gruaja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, Agim Ramadanit, e ka kujtuar atë në 23 vjetorin e Betejës së Koshares.
Ramadani, në 23 vjetorin e Betejës së Koshares ka thurur disa vargje për të rënët.
“114 shkallëve të lotit u ngjita për rininë tuaj të këputur nga dashuria,qava e qesha me ju deri në muzgun e ngrirë të atdheut”
“114 herë lulet mu venitën në dorë e buzët plagë mu bënë nga puthja e gurit që flet ma shumë se i gjalli që se njohu rininë tuaj”, ka shkruar gruaja e tij.
Tutje, vargjet e saj vazhdojnë duke thënë “114 dhimbje më therën shpirtin nga dashuritë e palindura të vashave shterpë në pritjen tuaj, shtojzvalle që brigjeve të atdheut në kërkimin tuaj mbetën”.
“114 herë u verbova nga shkëlqimi i syve tuaj yje lirie që në buzëqeshje foshnjash përtrirë jeni”.
“114 herë lotin e fshiva me dorën tuaj e amanet ju lash lulet të mi ruani për nuset në pritje”.
“114 herë ju luta ofshamat mos t’u rëndojnë e harresa mos t’u lëndojë se ju roje lirie mbeteni e neve të gjallëve falnani që nuk e dimë ç’bëjmë me ëndrrat tuaja të nxjerruna tregjeve të pista të botës”, ka shkruar Shukrije Ramadani, gruaja e komandantit Agim Ramadani.