Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka vendosur të mos jetë pjesë e kryesisë së partisë më. Kësisoj, Hasani nuk e di se kur do të zjgjedhet kryesia e re e kësaj partie. Ndërkaq Adem Grabovci thotë se kryesia mund të zgjedhet pas pushimeve të verës.
Partia e Kadri Veselit ende nuk e ka zgjedhur kryesinë dhe nënkryetarët e rinj. Madje dikush ka vendosur të tërhiqet krejtësisht nga kandidatura për të qenë pjesë e kryesisë.
Nait Hasani ka treguar të dielën për Gazetën Express se ka vendosur të mos jetë pjesë e procesit, rrjedhimisht ai duket se nuk është i informuar se kur do të zgjedhet kryesia e partisë.
Madje ai flet për partinë pjesë e së cilës është, sikur të jetë një parti të cilës nuk i përket.
“Unë s’jam pjesë e procesit kështu që nuk e di. Unë nuk kam kandidu, unë s’kam dashtë me kandiduar dhe nuk jam pjesë e procesit e nuk e di kur e kanë e si e kanë. E di që në disa degë janë zgjedhë edhe kryesitë, në Prizren e kanë zgjedhë, Gjakovë e kanë tash, në Ferizaj më duket që po. Janë në proces, mirë e keq janë në proces”, thotë Hasani.
Hasani theksoi se ishte kërkesë e tij që të mos kandidojë, pasi siç thotë ai, ka kontribuuar për 19 vjet në PDK dhe slogani “Dekada e Re” nuk i duket vendim i drejtë. Kur pyetet se a ka pakënaqësi rreth këtij slogani, ai thotë “Tani le të mbetet çështje e tyre”.
“Unë kam kërku mos me ma prezantu emrin, për shkak se kam qenë për 19 vjet rresht thuaja pjesë e kryesisë, jam mundu me e dhanë kontributin tim, tani kanë dalë me sloganin “Dekada e Re”, le të vazhdojnë me “Dekadën e Re””, thekson Hasani.
Se kur do të zgjedhet kryesia e PDK’së nuk e di saktë as anëtari i Këshillit Drejtues të PDK’së, Adem Grabovci. Ai tha të dielën për Express se kjo mund të bëhet pas pushimit veror.
“Po një herë janë pushimet, nuk e di ende kur do të zgjedhet”, ka thënë Grabovci.
Javë më parë Kadri Veseli tentoi ta largonte Adem Grabovcin dhe zyrtarët tjerë partiakë nga PDK’ja. Por, kjo nismë u realizua vetëm në Qeveri. Jo në Parlament dhe as në PDK. Kjo pasi anëtarët e PDK’së me aktakuza po vazhdojnë të jenë deputet, anëtarë të këshillit të përgjithshëm e udhëheqës të degëve të PDK’së.
Ditë më parë, Express ka shkruar se Adem Grabovci kishte folur me përçmim kur ishte pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK’ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kanë probleme me ligjin.
“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka shtruar pyetje Grabovci dhe ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Kadri Veselit.
“Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, kishte deklaruar Grabovci për Express, javën e kaluar.
Adem Grabovci nuk ishte lejuar të kandidonte për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale. Edhe i propozuari i tij për Ministër, Besim Beqaj, është shkarkuar nga Veseli.
Ish-Nënkryetari i PDK’së fillimisht kishte humbur pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së kur shpërtheu afera e quajtur “Pronto”, e cila ende nuk është mbyllur, e ku dëgjohen zyrtarët e PDK’së teksa flasin për punësimet e anëtarëve të partisë nëpër institucione të shtetit. Në mesin e bisedave janë edhe ato të Grabovcit me Kadri Veselin, i cili i tregon se cilin person duhet ta shtyjë përpara për pozitat publike.
Së fundmi, Kadri Veseli, në një paraqitje publike, dha lajmin se po i largon njerëzit me aktakuza nga Partia e Qeveria. Deri më tash kanë pësuar tre persona: Besim Beqaj, Nijazi Kryeziu dhe Agim Çeku.
Por, në Parti s’po ia pranojnë vendimin. Vendim ky që nuk është marrë as në Kryesi dhe as në Këshillin Drejtues.
Pikërisht këtu ndalet Adem Grabovci. Thotë se nga Partia të largojnë vetëm ata që të sjellin aty – anëtarët e Këshillit Drejtues.
“Vetëm vota mund të më largojë prej partie Unë i falënderoj të gjithë votuesit gjegjësisht anëtarësinë e PDK’së që më kanë votuar fuqishëm dhe jam njëri ndër më të votuarit në këshillin drejtues të PDK’së, vetëm ata që ma kanë dhënë votën mund të më largojnë”, ka thënë Grabovci.
Ish-deputeti i PDK’së ka thënë se respekton çfarëdo vendimi që bazohet në Statutin e Partisë. Ky dokument s’përcakton askund të drejtën e Kryetarit t’i përjashtojë njerëzit nga Partia.
“Unë jam institucionalist, i respektoj institucionet, i respektoj rregullat që i nxjerri vet, statutin e partisë ai për mua është kushtetuta e partisë, siç është kushtetuta e shtetit edhe kushtetuta dhe programi janë për partinë”, ka shtuar ai.
Kadri Veseli ende s’e ka thënë asnjë fjalë dhe s’e ka marrë asnjë veprim për largimin e atyre me aktakuza. Madje, disave ju ka premtuar se vendimi nuk i prek, duke bërë seleksionime.
Megjithëkëtë, Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, po ashtu, kanë refuzuar të pranojnë vendimin e Kryetarit të PDK’së./Express