Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në në pompën e derivateve EXFIS në fshatin Poterq i Ulët në Klinë.
Hajnat e maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin rreth 800 euro para të gatshme.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se grabitja është kryer nga një person i cili në vendin e ngjarjes kishte shkuar me një veturë dhe i shoqëruar nga së paku edhe një person tjetër.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka bërë të ditur se hajnat kanë ikur me veturë në drejtim të Prishtinës.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje e armatosur’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.