Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka arrestuar mbrëmë edhe një person tjetër të dyshuar për veprën penale “Grabitje”.
Kështu është bërë e ditur, përmes një njoftimi për media, nga Policia e Kosovës.
“Pas vazhdimit të hetimeve intensive nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime, në orët e vona të datës 07.03.2022, kanë arritur ta arrestojnë edhe të dyshuarin e pestë (5) për veprën penale “ Grabitje”. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj të dyshuarit (i mitur) është caktuar masa e ndalimit policor prej 24 orësh”, thuhet në njoftim.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme policia kishte arrestuar edhe katër persona të tjerë për të njëjtën vepër penale.
Të gjithë personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer grabitje më 1 mars të këtij viti në një lokal në Pejë.
“Më datë 01.03.2022, rreth orës 22:20, Policia është njoftuar se një grup i personave të maskuar kanë hyrë ne zyrën e lokalit dhe nën kërcënimin e armës së ftohtë (thikë), i kanë grabitur viktimës rreth tremijë (3000) euro, të dyshuarit kanë dal duke u bashkuar edhe me dy persona të tjerë të gjithë të maskuar, dhe kanë ikur ne drejtim të panjohur”, kishte njoftuar policia.