Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje, kontroll të armës dhe mos zbatim i urdhrit të policit. Të dyshuarit gjatë ditës së diel kishin hyrë në shtëpinë e një personi, e kishin lidhur me litar, të njëjtin e kishin goditur me sëpatë dhe i kishin vjedhur veturën e tipit ‘VW Tiguan’, 120 euro, si dhe një armë.
I gjithë rasti kishe ndodhur në Istog dhe policia kishe arritur që t’i identifikonte personat e dyshuar, ku të njëjtit janë parë të nesërmen në Gjakovë duke lëvizur me veturën e tipit ‘VW Tiguan ‘ngjyrë e gjelbër’ me targa vendore.
Në lidhje me këtë rast është angazhuar njësiti policor, i cila ka vërejtur automjetin. Të njëjtit i kanë dhënë shenjë që të ndalet vetura në fjalë, mirëpo të dyshuarit, të cilët ishin duke drejtuar këtë automjet nuk kanë përfillur urdhërat e personave zyrtar, por me vrull të madh kanë vazhduar nga qendra e qytetit në drejtim të Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.
Patrulla policore ka vazhduar në ndjekje të tyre. Pas pak kohe në dalje të qytetit të Gjakovës personat nga shpejtësia e madhe që e vozisnin automjetin e dyshuar, janë rrokullisur dhe kanë dalë jashtë rrugës së asfaltuar.
Siç njofton policia, personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë dërguar në stacionin e policisë. Raportohet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
“Personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë sjellë në stacionin policor, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe shihen disa lëndime sipërfaqësore në fytyrë nga aksidenti. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë gjahu, një maskë dhe një thikë. Në lidhje me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet relevante gjithashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Në lidhje me këta persona është informuar edhe Policia e regjionit të Pejës, të cilët i kanë marrë dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes që ka ndodhur me datë 29.12.2019 në fshatin Cerrcë -Istog. Rasti do të procedohet në Prokurori”, kanë njoftuar policia.