Gjyqtari Mentor Ajeti i ka kërkuar falje Prishtinës dhe publikut për gabimin trashanik dhe amator që i kushtoi klubit bardhekaltër me disfatën 1:0 kundër Dukagjinit, kur e pranoi golin e shënuar nga loja joaktive, duke e cilësuar si lëshim që ndodh edhe në Premierligë.
“Unë e marr përgjegjësinë për gabimin që kam bërë, por dua të ju siguroj që ka qenë vetëm një gabim njerëzor dhe pas rishikimit në VAR dhe duke përcjell analizat në TV Emisione si dhe shumë analizave më ekspertë të referimit dhe vlerësimit time vërejmë që ka qenë një lëshim nga ana ime dhe kërkoj falje publike dhe pres mirëkuptim”, shkroi Ajeti në Facebook.
Ajeti ia pranoi Dukagjinit një gol të shënuar disa sekonda pasi i kishte rënë bilbilit për ta ndërprerë ndeshjen për një faull në zonën prishtinase gjatë një rivënieje këndore. Mërgim Pefqeli shënoi në portën e vet në minutën e 40-të, duke e devijuar topin kur të gjithë ishin ndalur pasi Ajeti e ndërpreu lojën të dielën.
Por Ajeti shkoi për ta rishikuar rastin në VAR dhe vendosi ta pranojë golin, pavarësisht se topi nuk ishte më në lojë kur u shënua ai, duke bërë njërën prej shkeljeve më bazike ndonjëherë.
Ai pranoi përgjegjësinë: “Edhe unë dua t’i kërkoj falje FC Prishtinës, FFK-së dhe gjithë futbolldashësve dhe shpresoj që gabimi që unë kam bërë ditën e djeshme të konsiderohet si gabim i imi dhe ekipit të gjyqtarëve dhe jo të etiketohen njerëz të tjerë”.
Ajeti –i cili e ka të punësuar pothuajse tërë familjen në FFK – e krahasoi gabimin e vet amator me gabimet që ndodhin në Premierligë, pavarësisht dallimit enorm në shkallën e gabimit të tij me gabimet në ligat evropiane.
“Jemi dëshmitarë që situata të tilla ndodhin edhe në kampionate elitare në Evropë e rasti më i freskët ishte ai në ndeshjen Arsenal – Brentford ku gjyqtarët dolën dhe kërkuan falje për gabime njerëzore.”