Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit burgim dhe me 3 mijë euro gjobë inspektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës Gafurr Rexha, pasi i njëjti në seancën fillestare e kishte pranuar fajësinë.
Rexha akuzohej se kishte pranuar 12,000 euro ryshfet nga pronari i firmës ndërtimore “Berisha Group”, N.B., për lëshimin e lejes për vazhdimin e punimeve.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli, në dënimin e shqiptuar të akuzuarit Rexha i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 29 shtatori 2020, ndërsa kjo masë të njëjtit i është ndërprerë pas shpalljes së aktgjykimit.
Në seancën e sotme, pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Rexha është deklaruar fajtor për marrje ryshfeti.
“E pranoj veprën dhe njëkohësisht ndihem keq dhe kërkoj falje për rastin, kërkoj falje për këtë rast sepse asnjëherë nuk kam pasur raste të tilla si person zyrtar që kam qenë”, ka deklaruar i akuzuari, shkruan Betimi për Drejtësi.
Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Rexha është pajtuar edhe mbrojtësi i tij, i cili ka kërkuar nga gjykata që ta pranojë të njëjtin, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim i kushtëzuar.
Ai po ashtu, kishte kërkuar edhe ndërprerjen e masës së paraburgimit, pasi sipas tij, me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Rexha kishin pushuar shkaqet me të cilat është caktuar dhe vazhdimi i paraburgimit.
Rexha ngarkohej me veprën penale “marrje e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.