Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Andi Pajazitit, i dyshuar për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.
Këtë e ka bërë të ditur zyra për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.P, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04.01.2024 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, ashtu që të pandehurit A.P i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj. Masa e paraburgimit të pandehurit iu është vazhduar deri më datë 05.03.2024”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate për Betimin për Drejtësi.
Masa e paraburgimit prej dy muajsh të dyshuarit Pajaziti iu kishte caktuar nga kjo gjykatë edhe më 3 nëntor 2023.
Andi “Italiani” është një person me dosje të rëndë penale, i dyshuar për disa vepra kriminale në të kaluarën.
Rreth katër vjet më parë, Andi Pajaziti ishte arrestuar nga policia nën dyshimin për përfshirje në plagosjen me armë zjarrin të katër rojeve të klubit të natës “Duplex”.
Ai ishte arrestuar më 26 nëntor, 2019, pasi kishte qëndruar për disa javë në arrati së bashku edhe me dy persona të tjerë, përfshirë Astrit Mehmetin, të njohur me pseudonimin “Llepota”.