Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.L, M.Q dhe F.U, për shkak të dyshimit të bazuar se kishin tentuar të privonin nga jeta D.M.
Komunikata e gjykatës:
Me datë 15.04.2021, rreth orës 20:55 minuta, pas marrëveshjes paraprake, të pajisur me thika, tentojnë t’a privojnë nga jeta të dëmtuarin D.M, në atë mënyrë që deri sa i dëmtuari ishte duke e festuar ditëlindjen, me t’ua hap derën i dëmtuari, të pandehurit e sulmojnë me thika dhe largohen nga vendi, me ç’rast dëshmitarët e lajmërojnë policinë.
Me këto veprime të pandehurit si bashkëkryes kishin për të kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së
Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe duke e pas parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe për një kohë kanë qenë të paarritshëm për organet e ndjekjes andaj, me gjetjen e mundshme të tyre në liri mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës. Gjithashtu, dëshmitarët e rastit ende nuk janë dëgjuar dhe të pandehurit janë shokë të ngushtë me njëri – tjetrin andaj, po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarë dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri – tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve. Nga të lartcekurat, gjykata ka gjetur se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit