Pejë- Gjykata Themelore në Pejë e ka liruar nga aktakuza ish-drejtoreshën për Kadastër në Komunën e Klinës, Njomza Grabanicën, ndaj së cilës rëndonin akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Një vendim i tillë është marrë të premten nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, me anëtarët Violeta Husaj- Rugova dhe Shaqë Curri.
Ky trup gjykues nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se e pandehura ka kryer veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuan në kontest civil.
Ndryshe, në qershor të 2021-ës, e akuzuara Grabanica është deklaruar e pafajshme për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Aktakuza e ngritur në prill të vitit 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Njomza Grabanicën se nga viti 2018 e deri në fund të 2020-ës, në Komunën e Klinës, në cilësinë e drejtoreshës në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e saj zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me Ligjin mbi Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Klinës, në dëm të gjeodetëve të licencuar B.V, J.A dhe I.S nga Gjilani.
Sipas aktakuzës, e pandehura në mënyrë të heshtur e ka mbajtur qytetarin Arjanit Nrecaj në zyrë, ku ky i fundit ka punuar në këtë Drejtori në cilësinë e gjeodetit pa kontratë pune dhe pa ndonjë vendim të komunës dhe atë nga 2 deri më 13 janar 2018 (11 ditë), nga data 23 shkurt 2019 deri më 31 mars 2019 (37 ditë) dhe nga data 1 tetor 2019 deri më 30 qershor 2020 (9 muaj).
Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura më pas, në kundërshtim me nenin 16, pika 7 të UA të MMPH, nr.12/19, e ka pajisur me autoritet zyrtar Arjanit Nrecaj, duke kërkuar nga AKK-ja t’i lejojë qasje në të dhënat zyrtare të AKK-së, e cila qasje iu ka lejuar dhe vazhduar gjerë më 11 nëntor 2020.
Sipas aktakuzës gjatë kësaj periudhe, dëshmitari Nrecaj, në cilësinë e praktikantit dhe me dijeninë e të pandehurës, jo vetëm që nuk kishte realizuar kërkesat e të dëmtuarve për blerjen e produkteve kadastrale, por i njëjti ishte ngarkuar edhe me instrumentin matës gjeodezik “ZKK-Klinë 2”, dhe me të ka pasur qasje në sistemin e pozicionimit të Kosovës (KOPOS), gjatë periudhës 2019-2020, duke përdorur këtë instrument pas orarit të punës, gjatë ditëve të fundjavës, në disa raste edhe për punë private, në kundërshtim me Udhëzimin e Administrativ të MMPH nr. 13/2019.
Për këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, të Kodit Penal, për të cilën parashihet dënimi prej një deri tetë vite burgim. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.