Gjykata Themelore në Pejë, të enjten, e ka dënuar me tetë muaj burg me kusht, të akuzuarin për legalizim të përmbajtjes së rreme, Vebi Idrizi.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Shaqë Curri, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit i është shpallur edhe dënimi plotësues, që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kthejë mjetet prej 510 euro, në afat prej gjashtë muajsh, si dhe urdhri për publikimin e aktgjykimit.
Ai është obliguar edhe në pagesën e paushallit gjyqësor në shumë prej 20 euro, dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.
Prokurorja e rastit, Lumturije Vuçetaj, para leximit të aktakuzës, e bëri përmirësimin e dispozitivit të saj, përkatësisht e ndryshoi lartësinë e dëmit të shkaktuar nga i akuzuari.
“Para leximit të akuzës e bëj përmirësimin e aktakuzës dhe atë sa i përket dëmit të shkaktuar ndaj të dëmtuarës MPMS, i cili duhet të jetë në shumë 510 euro, dhe këtë përmirësim e bëj në saje të kohës së kryerjes së veprës penale, si dhe vërtetimit i cili është lëshuar nga e dëmtuara në mënyrë zyrtare, e që në përputhje me kartelën financiare gjejmë se i njëjti në periudhën tre mujore ka përfituar pagën e pensionit të veteranit me vërtetimin e falsifikuar”, ka deklaruar prokurorja Vuçetaj.
Ndërkaq, pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Vebi Idrizi deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, dhe shprehi keqardhje për veprën e kryer.
Pranimin e fajësisë e mbështeti mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Haxhi Çekaj dhe prokurorja Vuçetaj, e më pas e aprovoi edhe gjykatësi Curri.
Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Vebi Idrizi akuzohet se me 17 janar 2017, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, Zyra në Pejë pranë MPMS-së, ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, paragrafi 2, e lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Në akuzë thuhet që i pandehuri e ka vë në lajthim organin e lartcekur, në atë mënyrë që me dokument të falsifikuar që kinse është veteran luftëtar, ka përfituar statusin e veteranit, duke përfituar page prej 170 euro, për çka MPMS-së i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 510 euro