Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e avokatëve për lirim nga paraburgimi të infermiereve që ushtruan dhunë ndaj të moshuarës në Pejë.
Gjykata e Pejës, më 2 nëntor, kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për A.P., A.R., dhe R.K., të përfshira në rastin ku shihej një e moshuar duke u dhunuar fizikisht në një qendër për të moshuar në Pejë.
Prokuroria ka njoftuar se në këtë çështje ka angazhuar dy prokurorë të shtetit.
Pamjet çnjerëzore teksa rrahet e moshuara kanë tronditur vendin, por për këtë rast kanë raportuar edhe mediat e rajonit dhe ato botërore.
Gazeta britanike “Daily Mail” kishte shpërndarë sulmin ndaj të moshuarës që ndodhi në shtëpinë “Orenda” në Pejë.
“Ky është momenti shokues kur një e moshuar në një shtëpi të pleqve në Kosovë goditet me shuplakë vazhdimisht nga një infermiere”, shkruante “Daily Mail”.
“Pak jam tu ja hi qysh di me sill unë, pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë infermierja Aurona Pelaj që e rrah me shuplaka e me shqelma të moshuarën në Pejë, teksa koleget e saj qeshin me zë të lartë.