Shkumbin Jashari, polici i cili akuzohet nga Prokuroria se ka vjedhur 2 mijë euro gjatë një bastisjeje, është dënuar sot nga Gjykata e Prishtinës.
Jashari është dënuar me 6 muaj burgim, të cilin dënim me pëlqimin e tij mund ta zëvendësojë në gjobë.
Kurse i njëjti është liruar nga akuza për veprën armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës, Shkumbin Jashari me datën 29 mars 2019, në ora 00:55 në lokalin “Las Vegas 2” në cilësinë e personit zyrtar të policisë së Kosovës sa ishte duke ushtruar kontrollin-bastisjen e lokalit, ai shfrytëzon rastin duke e zbërthyer zingjirin e uniformës policore dhe merr kuletën me 2000 euro e cila ishte në banak në përgjegjësi të tani të dëmtuarit Alban Qerkini.
Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 4 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga IPK-ja në punëtorinë e tani të akuzuarit në rrugën “Lulzim Jashari” në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit “Diana” model 25 me 17 fishekë të llojeve të ndryshme të kalibreve 9x9mm, një palë pranga dhe një karikator të cilin e mbante pa autorizim.