Federico Roccio, është njëri prej tifozëve më i flaktë i futbollit.
Ai deri më tani ka vizituar 642 stadiume në 46 shtete të ndryshme të botës.
Destinacioni i fundit i Roccios ishte Kosova, më saktësisht qyteti i Klinës.
Më 23 tetor, ai ishte i pranishëm në stadiumin “18 Qershori”, ku përcolli nga afër ndeshjen mes Dukagjinit dhe Ballkanit, që ishte mbyllur baras 1:1.
Kjo është bërë e ditur nga vetë ai përmes disa fotove të publikuara në rrjetin social “Instagram”.
Federico Roccio është nga Italia, teksa ndryshe njihet edhe si “Gjuetari i Stadiumeve”.
Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të FIFA-s në vitin 2020, Roccio kishte treguar se e gjithë historia e tij kishte filluar që kur ishte 4-vjeç, kur ndeshjet i shikonte me babain e tij, Marion.
Ai kishte zbuluar gjithashtu se është tifoz i Milanit.
Se sa i pasionuar është pas futbollit Roccio, më së miri e dëshmon edhe fakti që ai i kishte propozuar të dashurës së tij, Eleonoras, në stadiumin “San Siro”.
Gjithashtu, çifti kishin kaluar muajin e mjaltit duke vizituar vende dhe stadiume të ndryshme të futbollit.