Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët para dy ditësh, dyshohet se kanë gjuajtur me armë zjarri gjatë një ahengu në fshatin Shkrel në Rugovë, Pejë.
Arrestimi është bërë sot, më datë 20 janar pasi policia ka siguruar një video incizim i cili është shpërndarë në rrjete sociale.
“Me të marrë informatën e lartcekur, hetuesit e Stacionit Policor Pejë, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operativo-hetimore për identifikimin rrjedhimisht arrestimin e personave të dyshuar. Pas identifikimit të personave të dyshuar me urdhër të Prokurorit të shtetit janë bastisur shtëpitë e personave të dyshuar: J.G. i lindur me (1985) m/k/sh, E.A. i lindur me (1988) m/k/sh, tek të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: një (1) pistoletë e tipit mod. 35. auto, cal 8mm, një (1) pistoletë P.A.K. model BLOË TR17, cal 9 mm, një (1) fishek 9mm”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarve me urdhër të prokurorit të shtetit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.