Gjermania është shteti i parë evropian që blen ilaçin antiCOVID për një pjesë të madhe të popullsisë. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn ka thënë se bëhet fjalë për një ilaç me bazë antitrupash të cilin e kishte përdorur edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump,
“Duke filluar nga java tjetër, antitrupat monoklonalë do të përdoren në Gjermani e fillimisht në klinikat universitare” ka thënë ai në një intervistë për Bild am Sonntag. “Qeveria federale ka blerë 200,000 doza për 400 milionë euro”.
Ai tha se ky ilaç është i domosdoshëm që sëmundja të mos progresojë shumë tek të infektuarit.
“Ata veprojnë si një vaksinim pasiv. Administrimi i këtyre antitrupave në fazat e hershme mund të ndihmojë pacientët me rrezik të lartë të shmangin një progres më serioz“, shtoi ai.
Spahn pranoi se Gjermania ka dështuar ta menaxhojë siç duhet pandeminë, teksa për këtë fajësoi si popullin ashtu edhe politikanët.
Gjermania e ka zgjatur izolimin kombëtar deri më 14 shkurt.