Gjermania nis hetimet mbi spiunazhin e dyshuar rus në bazat ushtarake

Policia gjermane ka nisur një hetim mbi rastet e dyshuara të spiunazhit rus pasi dronët u vunë re mbi disa instalime ushtarake në Bavari.

“Në sfondin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të përjashtohej që instalimet ushtarake gjermane dhe kompanitë e mbrojtjes po spiunoheshin nga dronët”, tha Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal të Bavarisë.

Bëhet e ditur se incidenti i fundit ndodhi vonë të dielën kur një dron u pa mbi një bazë ushtarake pranë Manching, njoftoi policia, duke iu referuar një objekti të gjerë ku forcat gjermane testojnë aeroplanë të rinj me pilot dhe pa pilot.

“Dronët u panë mbi bazën pranë Manching tre ditë në dhjetor”, thuhet në deklaratën e policisë.

Ndërkohë një tjetër fluturim i paautorizuar ndodhi po atë muaj mbi një instalim ushtarak në Neuburg an der Donau, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Policia federale e Gjermanisë Bundeskriminalamt paralajmëroi kompanitë në dhjetor se mund të ketë diversantë rusë mes punonjësve dhe kontraktorëve të tyre.

Por, Rusia i ka mohuar këto akuza.

Raportohet se hetuesit vunë në dukje një seri fluturimesh të paautorizuara me dron në vende duke përfshirë objektet ushtarake, terminalet e LNG-së dhe naftës, portet detare dhe kompanitë logjistike si shembuj të sabotimeve të dyshuara nga aktorët shtetërorë rusë në muajt e fundit.

Kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, Bruno Kahl, tha muajin e kaluar se aktet e sabotimit të Rusisë kundër objektivave perëndimore mund ta shtyjnë NATO-n të konsiderojë thirrjen e klauzolës së mbrojtjes reciproke të nenit 5 të aleancës.

Sipas nenit, nëse një anëtar i NATO-s sulmohet, anëtarët e tjerë të aleancës janë të detyruar ta ndihmojnë atë të përgjigjet. /Telegrafi/