Gjermania identifikon tri shkelje që Serbia ia bëri Marrëveshjes Bazë

Ambasada gjermane në Prishtinë ka identifikuar tri shkelje që Serbia i ka bërë Marrëveshjes Bazë, të dakorduar me Kosovën në dialogun e Brukselit.

Ambasada gjermane në Prishtinë ka thënë thanë se Serbia ka shkelur detyrimet duke e shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë, duke e miratuar legjislacionin për vepra penale, si dhe duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkruan Koha.

Çfarë parasheh Marrëveshja?

Dokumenti fillestar, të cilit tani shumica i referohen si Marrëveshja Bazë, u kërkon palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë.

Dy palëve u kërkohet ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.

Palëve u kërkohet që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Për autoritetet në Kosovë, kjo pikë nënkupton që Serbia e njeh de facto shtetësinë e Kosovës.

Pikat me më së shumti vëmendje

Aneksi e veçon pikën 7 të Marrëveshjes Bazë.

Kjo pikë ka të bëjë me sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.

Disa e shohin këtë pikë si referencë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Muaj më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përmendur modelin kroat si zgjidhje për minoritetin serb.