Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të premten nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Përveç vizave, në këtë deklaratë përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Të tria vendet kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.
“Ne mbështesim plotësisht BE-në, e cila udhëhoqi dialogun Kosovë-Serbi dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre respektive evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratë.
Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE -së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Reklama
Tutje, në deklaratë rikonfirmohet angazhimi i tri shteteve ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Ne jemi të gatshëm të mbështesim proceset e reformave në rajon, ku përparimi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, është i një rëndësie të veçantë”, thuhet mes tjerash. /Telegrafi/