Gjermania do të njoh patentat e lëshuara nga Kosova dhe Shqipëria. Emigrantët shqiptarë në këtë vend kanë kohë që presin njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve, por kjo procedurë mund te zgjasë disa vite deri sa të hyjë tërësisht në fuqi.
Emigrantët shqiptarë në Gjermani, anë kohë që presin njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve, por siç ka mësuar Deutsche Welle ky proces do të zgjasë disa vjet. Për të mësuar më shumë Top Channel ka kontaktuar me korrespondenten e Deutsche Welles në Berlin, Anila Shuka.
Top Channel: Në cilin stad ndodhet procesi i njohjes se lejeve të drejtimit të automjetit me Gjermaninë.
Anila Shuka: Njohja e lejeve të drejtimit të automjeteve, ose siç quhet ndryshe,patentat, ka disa etapa verifikimi. Shqipëria nga ana e saj i ka plotësuar detyrat qysh në janar të vitit të kaluar.
“Procesi tashmë ka filluar, ne i kemi përcjellë autoriteteve gjermane një formular të plotësuar nga fillimi deri në fund lidhur me mënyrën dhe kërkesat që aplikohen në Shqipëri për pajisjen me leje drejtimi të automjetit, autoritetet gjermane po bëjnë verifikimin në të gjithë shtetet e republikës federale gjermane për të parë se sa janë në përputhje kriteret që aplikon Shqipëria dhe në përfundim të procesit unë jam besim plot se do të arrijmë në ekuivalentimin e lejeve të republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë”, tha për DW, ambasadori i Shqipërisë, Artur Kuko.