Klinika Infektive tash e sa javë të gjithë shtretërit e saj i ka të mbushur me pacientë të cilët janë në gjendje të rëndë dhe mbi 100 prej tyre po arrijnë të marrin frymë fal oksigjenit artificial. Duke marrë parasysh situatën pandemike në vend dhe rastet aktive me COVID, po kërkohet respektim më rigoroz i masave aktuale dhe shtim të masave tjera.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku ka deklaruar se rritja e rasteve në javët e fundit të të infektuarve me COVID-19 ka ndikuar të rritet edhe numri i të hospitalizuarve.
Sipas tij gjendja e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është mjaft e rënduar.
“Realisht rritja e numrave me COVID-19 në dy javët e fundit ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të hospitalizuarve. Ne faktikisht i që dy javë gati e kemi çdo ditë të mbushura kapacitetet e Klinikës Infektive. Po krijohet përshtypja që nuk ka vende të lira por Infektiva është klinika e parë dhe kemi edhe tri klinika tjera përveç Infektives që janë për pacientët me COVID dhe kështu deri sot asnjë pacientë që kanë pasur nevojë për marrjen e shërbimeve nga mjeku nuk ka mbetur pa shërbime. Jemi duke bërë përgatitje për të hapur edhe klinika tjera me qëllim që të krijohen shtretër të mjaftueshëm për gjithë pacientë. Faktikisht gjendja është shumë e rëndë ne i kemi mbi 100 pacientë që janë me oksigjenoterapi dhe një pjesë e madhe e tyre është me gjendje të rëndë klinike. Ky numër i madh i rasteve të reja ka filluar të reflektohet edhe në numrin e të sëmurëve”, tha ai.
Sadiku ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës një analizë të kësaj situatë dhe respektim më të ashpër të masave por edhe nëse është nevoja shtim të masave të reja me qëllim të parandalohet përhapja tutje e infeksionit COVID-19 në vend.
Nëse nuk ndodh kështu, infektologu Sadiku paralajmëron edhe shtim të rasteve të reja të të prekurve me koronavirus.
Sadiku thotë se përveç barit antiviral, Remdesevir që nuk janë të furnizuar, pjesa tjetër e terapisë për pacientët me COVID-19 ndodhet në klinikë.
“Sigurisht që numri i madh i pacientëve që po kanë nevojë për trajtim e vështirëson edhe shtetin me pas sigurisht që buxheti që është për COVID gjithnjë e më shumë po rëndohet. Sa i përket antibiotikëve dhe terapisë tjetër kemi pasur me ndonjë mungesë të herë pas hershme. Ajo që ka munguar deri tani është Remdesiviri një bar antiviral i cili ende nuk ka arritur me siguruar ministria e Shëndetësisë, ndërsa terapia tjetër në shumicën e rasteve ka qenë e blerë nga shteti”, deklaroi ai.
Në Klinikën Infektive që nga dje ka nisur vaksinimi i profesionistëve shëndetësor i kësaj klinike. Ndër të parët që e morën këtë vaksinë ishte edhe infektologu, Izet Sadiku i cili tha se nuk ka pasur ndonjë shqetësim të theksuar.
Ai madje tha se as kolegët e tij nuk po hezitojnë të vaksinohen.
Që nga dje në Kosovë edhe zyrtarisht ka nisur vaksinimi i profesionistëve shëndetësor me 24 mijë vaksinat AstraZeneca që arritën të dielën në vendin tonë. Të parët që e morën dozën e kësaj vaksine ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfaqësuesja e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, infektologu, Sali Ahmeti dhe aktori Selman Jusufi. Ndërsa, javëve të fundit Kosova ka shënuar rritje të të prekurve me koronavirus, vetëm në 24 orët e fundit pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar 752 persona, ndërsa kanë vdekur 14 qytetarë të Kosovës.