Zyrtari policor Artur Mrasori është duke u trajtuar në QKUK pas lëndimeve të marra si pasojë e shpërthimi i cili ka ndodhur para dy ditëve në fshatin Zhur të Prizrenit.
Shaqir Uka, Shefi i Klinikës së Intensivës në QKUK ka treguar për KALLXO.com se gjendja e Mrasorit është stabile.
“Zyrtari policor i cili po vazhdon të trajtohet në QKUK ka prezantuar një gjendje stabile të përgjithshme. Ne kemi filluar ta zgjojmë gradualisht, dhe po mendojë që ta pamvarsojmë nga aparatura, por mund të themi se gjendja e tij është stabile”, ka thënë Uka.
Gjatë ditës së djeshme, ka pasur raportime se Mrasori do të dërgohet në Turqi për shërbim të mëtutjeshëm, por Uka nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.
Ai ka thënë se ky vendim pritet të merret gjatë ditës së sotme.
“Jemi në konsultim me mjekët e kirurgjisë së syrit, por ende nuk është marr një vendim, pritet që gjatë ditës të merret një vendim definitiv”, ka thënë Uka.
Nga aksioni i para dy ditëve në Zhur të Prizrenit, Sami Thaqi zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë nga shpërthimi i eksplozivit. Ndërsa, dy zyrtarë të tjerë policor dhe një fëmijë kanë mbetur të lënduar.