Në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës.
Rastet vijnë nga qytetet: Fushë Kosovë, Suharekë, Istog, Deçan, Malishevë dhe Drenas.
Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj vazhdon të ushtrojë dhunë në familje duke ofenduar dhe i sulmuar fizikisht.
Lidhur me rastin të dy palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajte.
Në Suharekë, është arrestuar një burrë për shkak se i njëjti duke prishur disa orendi brenda shtëpisë kishte ushtruar dhunë dhe kanosur babanë e tij.
I dyshuari është dërguar për kontroll në repartin e Neuropsikiatrisë, pastaj me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në qytetin e Istogut, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari është arrestuar, pas intervistës me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Deçan, një grua ka raportuar se vajza e saj, në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj dhe dy familjarëve, babait dhe vëllait të saj.
Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po ashtu gjatë 24 orët të fundit janë raportuar edhe dy raste në Drenas dhe Malishevë.
Në Drenas një person i moshës së mitur ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij.
Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Malishevë është arrestuar një person, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është duke u trajtuar në QKUK, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.