Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka deklaruar se shumë shpejtë do të ketë konstituim të të gjitha institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ajo madje është shprehur e sigurt që në asnjë mënyrë gjatë katër vjetëve të ardhshme, nuk do të qeverisin me inate.
”Sot tingëllon vetëm si fjalë, por ne vërtetë jemi vendosur”, deklaroi ajo mes tjerash.
Ndërsa lidhur me çështjen e mundësisë që si subjekt i vetëm të arrijnë të kryesojnë edhe me postin e presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, Gërvalla potencoi që shifrat janë të qarta për këtë.
Megjithatë ajo ka pranuar që në sallën e Parlamentit të Kosovës, për të votuar president Vjosa Osmanin, do të ketë përzierje deputetësh, por do t’i kenë votat e mjaftueshme.
”Për kryeministrin dhe kryeparlamentarin janë të qarta shifrat. Ndërsa sa i përket presidentit, nga të gjitha bisedat që kemi zhvilluar nuk ka arsye që të mos jenë 80 deputetë që të votojnë për Vjosa Osmanin president. Ne kur të vijë koha, ne do t’i kemi 80 deputetë. Do të ketë një përzierje të deputetëve që do të jenë të ulur aty në sallë. Ne nuk kemi hyrë për të qeverisur për të nxjerrë inatin ndaj askujt. Mendoj që një ndër detyrat më sfiduese që kemi në këtë legjislaturë, është forcimi i rolit të Parlamentit”, tha ajo për Klan Kosovën.
Derisa pozita e presidentit është një nga temat më të diskutuara mes subjekteve politike, ish-anëtarja e LDK-së, Donika Gërvalla, e quajti të pamoralshme insistimin e Ramush Haradinajt për postin e presidentit.