Gazetari serb, Radomir Dimiq ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’iu sigurojë kushte serbëve që kanë jetuar në Kosovë që të kthehen në vendlindje, pasi konsideron se Serbia i është bërë strehimore e zorit dhe se nuk mund të jetojë në regjim diktatorial të Aleksandër Vuçiqit.
Dimiq mes tjerash, në kërkesën drejtuar kryeministrit Kurti, të cilën e ka siguruar RTK, ka thënë se Kosova është atdheu i tij.
“I nderuar kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në harmoni me thirrjen tuaj publike për kthimin e serbëve të Kosovës, ju drejtohem personalisht që të më mundësoni dhe të më siguroni kushte ekzistenciale në vendlindjen time, pas 20 e më shumë viteve ekzil në Serbi e cila në saje të rrethanave të krijuara më është bërë strehimore e zorit”, ka nisur ai thirrjen e tij.
Ai ka thënë se Vuçiq është diktator, i cili bazohet në industrinë e një sistemi popullist.
“Unë nuk dua të jetoj në një regjim diktatorial, i cili bazohet në industrinë e sistemit popullist të një diktatori me 12 vjet pushtet e diktaturë. Unë si kosovar jam i përkushtuar me gjithë qenien për një Kosovë Demokratike Evropiane. Dua të bëjë gjithçka për ndërtimin e mirëbesimit të serbëve të Kosovës”, vijoi ai, derisa shtoi se beson fuqishëm në një të ardhme të përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve
Dimiq ka theksuar se pret përgjigje si një njeri, i cili nuk ka vendlindje tjetër përveç Kosovës. /