Gazeta ditore në Gjermani “Süddeutsche Zeitung”, ka publikuar versionin e saj për ditën e nesërme, ku në theks të veçantë ka shkruar për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Kjo gazetë shkruan se Thaçi po kritikohet për pazare të fshehta me Beogradin që sipas tyre po bëhet për t’i rregulluar atij imazhin ndërkombëtarë si dhe për t’i sjellur atij një marrëveshje me Gjykatën Speciale në Hagë.
Kjo sipas mediumit po bëhet për shkak se Thaçi si ish-lider i UÇK-së, mund të ftohet nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Në numrin e së shtunës gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” raporton për nënshkrimin e një letre përmes së cilës Serbia dhe Kosova zotohen për hapjen e linjës hekurudhore mes dy vendeve
“Ky është një sinjal për ekonominë në SHBA dhe Evropë për të investuar në rajon”, tha Richard Grenell, ambasador i SHBA në Berlin dhe nga tetori i vitit të kaluar i dërguar i posaçëm i Donald Trumpit për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Gazeta gjermane më tutje thekson se amerikanët dhe evropianët janë parimisht të një mendimi mbi nevojën e zgjidhjes së konfliktit mes Kosovës e Serbisë.
Por dallimi ekziston te fakti se administrata e Trumpit ka sinjalizuar se mund të përkrahë ndryshimin e kufijve të Kosovës, ndërsa në Berlin dhe Bruksel këto plane kanë shkaktuar frikë të madhe për shkak se ndryshimi i kufijve të Kosovës do të zgjonte apetite edhe në vende të tjera të Ballkanit.