Gazeta e madhe konservatore gjermane lavdëron zgjedhjet në Kosovë, të cilat qenë më të lira se në Serbi dhe Shqipëri.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” thekson se qeveria e re simbolizon një fillim të ri në Kosovën, e cila është sunduar nga kusarët, të cilët konsiderohen të korruptuar.
Kosova po e përjeton një kthesë të madhe: për herë të parë pas tërheqjes së trupave serbe para më shumë se dy dekadave shteti më i ri i Europës do të qeveriset pa pjesëmarrjen e ish-kryengritësve të UÇK-së. Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare parlamenti zgjodhi me 66 vota qeverinë e re të përbërë nga VV dhe LDK. Më 6 tetor VV e Albin Kurtit doli e para, ndërsa LDK e prirë nga Vjosa Osmani e dyta, me distancë minimale, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”
Në fjalimin e tij Kurti premtoi një “erë të re” dhe paralajmëroi një luftë kundër korrupsionit pa marrë parasysh rangun dhe emrat. Ky premtim ka qenë arsyeja kryesore për fitoren e Kurtit në zgjedhje. Mbetet të shihet nëse qeveria e Kurtit do të bëjë dallimin me kabinetet e mëhershme sa i përket korrupsionit. Formalisht qeverisja e Kurtit është një erë e re, qoftë edhe për shkakun se pasardhësit e UÇK-së në të ardhmen nuk do të kenë pushtet politik.
Gazeta gjermane përkujton se liderët e UÇK-së si Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj sukseset e tyre politike me ndihmën e NATO-s i shndërruan në kapital politik. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” thekson se zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë u zhvilluan në rrethana më demokratike se në Serbi dhe Shqipëri. Elektorati i Kosovës ishte i dëshpëruar nga sundimi shumëvjeçar, i korruptuar dhe kleptokratik i ish-kryengritësve dhe u hapi rrugë opsioneve të tjera. As LDK, as VV nuk i kanë rrënjët në UÇK, ndonëse Albin Kurti ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i zëdhënësit të UÇK-së, Adem Demaçi. Por Kurti nuk u anëtarësua kurrë në partitë e kusarëve.
Raportin e Kurtit me Serbinë gazeta e quan “special” për shkak se ka qenë i burgosur në Serbi. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” thekson se si cak të lagët Kurti propagandon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndonëse këtë synim nuk e ndjek në mënyrë ofensive si para disa viteve. /KlinaInfo