Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, ka kundërshtuar masat e reja lehtësuese të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Përmes një komunikate për media, gastronomët vlerësojnë se këto masa janë në kundërshtim me kërkesat e tyre, dhe veçanërisht me menaxhimin e mirëfilltë të pandemisë Covid-19.
Po ashtu gastronomët theksojnë se këto masa më shumë janë të dizajnuara për qëllime politike, sesa për shëndetin publik, e aq më pak për atë ekonomik.
Kjo është komunikatë e plotë:
Para pak orësh u njoftuam me masat e reja sa i përket menaxhimit të pandemisë Covid-19.
Këto masa janë në kundërshtim me kërkesat tona, dhe veçanërisht me menaxhimin e mirëfilltë të pandemisë Covid-19.
Këto masa më shumë janë të dizajnuara për qëllime politike, sesa për shëndetin publik, e aq më pak për atë ekonomik. Tashmë është ideuar edhe realizimi i fushatave parazgjedhore nga ky vendim, nga i cili, lejohen deri në 30 persona në hapësira të mbyllura, të cilat ironikisht janë sallat e dasmave (që ndalohen të funksionojnë për qëllime afariste), ndërsa deri në 50 persona në sheshe publike, parqe, etj.
Gastronomia në komunat e kategorizuara me ngjyrë të gjelbër dhe verdhë nga sot mund të funksionojnë deri në ora 22:00, ndërsa komunat e kategorizuara me ngjyrë të kuqe mund të funksionojnë deri në ora 21:00.
Ky orar për gastronominë është i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm. Gjendja jonë është më tepër se shqetësuese, dhe për ne në këto rrethana do të duhej të lejoheshim të funksionojmë deri në ora 23:00 në tërë vendin.
Zhvillimet e fundit në vend, shpërfaqin aplikimin e standardeve të dyfishta nga ana e shtetit, të cilët deri dje na thanë se duhet të qëndrojmë në shtëpi pas orës 20:00, që të mbrohemi nga pandemia, dhe pas kësaj ore, na ftuan nëpër tubimet dhe organizimet parazgjedhore për qëllime elektorale, duke mos i zbatuar rregullat e vendosura nga vetë ata!
Këto veprime janë në kundërshtim me nenin 3 të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht [Barazia para Ligjit].
Para ligjit dhe kushtetutës jemi të gjithë të barabartë. Mirëpo tek ne, ka përjashtime!
JO, standardeve të dyfishta!