Gastronomët nesër protestojnë me tenxhere e lugë, kundër masave të reja të Qeverisë

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka paralajmëruar se do të organizojnë protestë pas vendimit të Qeverisë për masat e reja mbrojtjeje ndaj COVID-19, nga të cilat preket ky sektor.

“Si shoqatë e gastronomëve, nesër i paralajmërojmë dy lloje të protestave. E para është që nesër prej orës 12:00-13:00 krejt gastronomët kanë me dal para lokaleve të tyre me tenxhere e lugë për me kriju një zhurmë dhe me i hap sytë Qeverisë ose shtetit të Kosovës”.

”Ndërsa e dyta është për të hënën, do të vendoset se si do të organizohet, ajo që do të jetë shumë masovike, por nesër në ora 14:00 e kemi mbledhjen”, u shpreh Kllokoqi për KlanKosovën.

“Nuk është fer fakti që ne gastronomët e mësojmë përmes televizionit për masat dhe rregullat e reja, se kjo duhet të diskutohet bashkërisht me ne. E dimë që numri i të infektuarve është rritur, por nuk duhet të drejtohet gishti krejt kah gastronomia, se kjo nuk është ndonjë zgjidhje që e zvogëlon numrin, se gjatë gjithë verës kemi qenë të mbyllur dhe krejt kanë shkuar e kanë vizituar rajonin”.

“Për neve është krizë e madhe ekonomikë dhe nuk mendojmë që është zgjidhje, nëse do të kishte me qenë mbyllje komplet, atëherë ishte dashur të uleshim dhe të bisedonim për subvencionimet ekonomike”.

“Ne kemi bërë thirrje që të ketë ndëshkime selektive dhe jo kolektive të lokaleve. Janë gjobitur bizneset që i kanë shkelur rregullat dhe kanë kërkuar mbrojte prej shoqatës sonë, por ne nuk i kemi përkrahur. Pra jo të ketë ndëshkime kolektive”.

“Nuk po them që ndoshta nuk ka ndikuar gastronomia tek numri i rasteve me COVID-19, por në këtë kohë janë hapur edhe shumë biznese të tjera të mbyllura, si fitneset, teatrot, etj., e pse gishtin veç nga ne?”.

“Çka po na jepni nëse po na mbyllni? Nëse bazohemi në rajon, atje bizneset janë subvencionuar. Edhe në Evrope, p.sh. në Austri i kanë mbuluar 80 përqind me subvencionim ekonomik. Ne nuk mund të mbijetojmë, shpenzimet po vazhdojnë, masat po rriten, jemi lodhur edhe ne”.