Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, vlerëson se shtimi i rasteve me COVID-19, nuk lidhet me veprimtarinë e këtij sektori.
Sipas gastronomëve, lokalet po i respektojnë masat kundër koronavirusit. Prandaj, ata bëjnë thirrje te institucionet që “ mos të shkaktojnë dëm e regres e sa më shumë të ofrojnë ndihmë e progres”.
Reagimi i plotë i tyre:
Kemi kuptuar që Qeveria e Kosovës ka dhënë deklarata të cilat e theksojnë sektorin e gastronomisë si një prej faktorëve kyq në përhapjen e rasteve me COVID. Gastronomia ka funksionuar edhe para shtimit të rasteve të fundit, edhe para hapjes së shkollave, dhe para heqjes së karantinës me Zvicrën, gjithashtu me orar të lejimit të muzikës edhe më të gjatë se kaq sa kemi sot, dhe rastet me COVID përditë e më shumë shkonin duke rënë. Ne që nga data 25/09/2020 lejohemi për të funksionuar edhe brenda, deri në ora 23:30 dhe me orar të lejuar të muzikës deri në ora 21:00.Shtimi i rasteve me COVID sipas IKSHPK – së ka fillur të shtohet që nga data 09/10/2020, andaj lidhur me këto deklarata ne mund të themi që të bëhen hulumtime më të sakta për këtë çështje, dhe ju inkurajojmë që të veprohet me subjektivitet për sa i përket respektimit të masave nga gastronomia. Meqenëse nuk qëndron se të gjitha lokalet nuk i respektojnë ato, përkundrazi jemi duke i respektuar ato në shumicën e rasteve. Andaj, siç e kemi diskutuar me Ministrin Zemaj, duhet që për secilin biznes që nuk i respekton këto masa të merret vendim adekuat.Duke marrë parasysh që sektori i gastronomisë është një prej sektorëve më vital të Republikës së Kosovës, aludimi në faktor të rritjes së shpërthimit të infeksioneve të reja me Covid-19, shton presion direkt në punën dhe veprimtarinë e gastronomëve.Çështje si e tillë, duhet të diskutohet dhe të gjenden faktorët e saktë të rritjes së rasteve, marrë për bazë paralajmërimet e ekpertëve të epidemiologjisë për valën e re të pandemisë nga muaj më parë, e jo të lëshojmë sinjale që masat duhet të shtrëngohen, gjë e cila me shumë gjasë aludon edhe për neve. SHGK ju bën apel institucioneve përkatëse të vendit, që sa më pak të shkaktojnë dëm e regres e sa më shumë të ofrojnë ndihmë e progres, pasiqë masat e ndërmarrura gjerë më tani i kanë dhënë goditjen më të madhe sektorit tonë, që nga paslufta. Gjendja në të cilën po kalojmë, përkundër iniciativave përkrahëse të fundit të Qeverisë dhe të atyre që pritet të hyjnë në fuqi në Kuvend, do të ndjehet edhe më shumë tani e tutje, me uljen e temperaturave atmosferike, e kjo do të vazhdojë sigurtë më së paku deri në fund të vitit tjetër