Dy rastet e reja të të infektuar me coronavirus janë konfirmuar minutat e fundit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Njëri nga të prekurit është nga fshati Stubëll i Komunës së Vitisë dhe një grua nga Bubaveci i Komunës së Malishevës.
Kjo e fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka ardhur më 1 mars në Kosovë nga Italia.
Ajo ka ardhur në Kosovë përmes Aeroportit të Prishtinës.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj i cili tha se ka mbledhur ekipin emergjent dhe policinë dhe janë në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai shtoi se do të bëhet izolimi i fshatit pas rastit të konfirmuar.
“Për momentin jam në komunë jemi mbledhur ekipet emergjente dhe policia. Jemi në mbledhje . Po sigurisht që po pritet të izolohet fshati por duhet të shikojmë edhe të koordinohemi me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Begaj për KALLXO
Deri më tani pesë raste janë konfirmuar me coronavirus vetëm gjatë ditës së djeshme dhe të sotme.
KALLXO.com vazhdimisht po raporton për zhvillimet në lidhje me rastet e prekura.