Foto: Sadik Ramë Gjurgjeviku me bijtë, Ukë e Shaban Sadikun
Para se të bëjmë fjalë për aktivitetin luftarak e atdhetar të Çetës së Ukë Sadikut, do t´i rrekemi pak historikut të familjes së tij, Sadikramëve të Gjurgjevikut të Madh të Llapushës. Familja e Sadikramëve, brez pas brezi ka dhënë bijë të fjalës e kuvendit, bijë të hutës e të pushkës, bijë që jetën flijuan për Shqipërinë etnike. Që nga brezat më hershëm, Alimetët e Nepolës dhe të Gjurgjevikut e në vazhdimësi Sadikramët e Gjurgjevikut në krye me Sadik Ramën, Met Ymerin, Tahir e Bali Fazlinë etj., tërë jetën ishin në shërbim të adheut dhe lirisë së tij.
Ashtu siç veproi i ati, Luani i Kosovës – Sadik Rama, në rrugën e tij plotë rreziqe e sakrifica vazhduan edhe dy bijtë: Ukë Shaban Sadiku. Mbi të gjitha për këta trima ishte liria e atdheut, e të tjerat nuk kanë vlerë, pa marrë parasysh sakrificat. Aty ku e la i ati, Sadik Rama, e vazhduan dy bijtë e tij, Uka e Shabani, tok me kushërinjtë dhe të gjitha ata trima të lirisë shqiptare që iu bashkangjitën atyre, në luftë kundër hordhive serbo-çetnike.
Çeta e Ukë Sadikut
Dy bijtë e Sadik Ramë-Gjurgjevikut, Ukë e Shaban Sadiku, filluan aktivitetin e tyre luftarak duke e formuar çetën e tyre në male të Gjurgjevikut, në fillim të dhjetorit të vitit 1944. Çeta vinte duke i konsoliduar radhët çdo ditë me luftëtarë të rinj. Në janar të vitit 1945, kjo çetë kishte mbi 70 luftëtarë dhe kaloi në Drenicë për t´iu bashkuar Brigadës së Shaban Palluzhës, në janar-shkurt të vitit 1945, derisa u vranë dy prijësit e saj: Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica (1909-1945). Ukë Sadiku ishte në Shtabin e kësaj Brigade. Kur Brigada e Shabanit u shpërnda në grupe më të vogla për të vazhduar qëndresën kundër brigadave serbo-çetnike në Drenicë e vise e tjera të Kosovës, luftëtarët e Çetës së Ukë Sadikut kaluan në malet e Gjurgjevikut të Madh për të vazhduar rezistencën me armë kundër brigadave partizane-çetnike. Kësaj çete iu bashkuan edhe shumë luftëtarë të Brigadës së Shaban Palluzhës, Çetës së Qazim Bajraktarit, Alush Smajlit dhe Ndue Përlleshit. Bashkë me ideologun dhe udhëheqësin politik të kësaj çete, profesor Ymer Berishën, kushëri nga fisi dhe bashkëvendas i dy trimave gjurgjevikas, hartuan planin strategjik të luftës, konsoliduan radhët e çetës, bënë evidentimin e luftëtarëve dhe u organizuan ashtu siç i ka hije një çete të vërtetë luftarake, me të gjitha organet e saj.
Çeta e Ukë e Shaban Sadikut veproi kryesisht në malet e Llapushës, por me aksionet e saj luftarake shpesh kaloi edhe në krahina tjera të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Atë e gjeje kudo që e kërkonte liria e atdheut, pa marrë parasysh sakrificat që do t´i kishte. Ideali i tyre ishte çlirimi i atdheut nga thundra sllave, dhe bashkimi me shtetin amë-Shqipërinë, duke pasur pikësynim bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare ashtu siç kishin qenë para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Pra, para Kongresit të Berlinit (1878).
Çeta e Ukë e Shaban Sadikut, kishte në përbërje të saj luftëtarë trima, kishte ideologë dhe prijës të rryer lufte e sakrifice për çështje të atdheut.
Kjo çetë ishte prijëse e të gjitha çetave e tjera të krahinës së Llapushës, por shpesh, në rast nevoje, bashkëpunonte me çetat e tjera për t´iu kundëvënë forcave të mëdha ushtarake të brigadave partizane-çetnike, që po mësyenin trojet shqiptare.
Shkruar nga veprimtari Uke shala