Është konstituar Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili do të udhëhiqet nga Armend Muja.
Kryetari Muja ka treguar edhe disa prej punëve që e presin këtë Komision që në fillim, siç është shqyrtimi i raportit financiar të Qeverisë dhe ndarja buxhetore për RTK-në.
Ai tha se në kuadër të kompetencave të komisionit anëtarët e tij shqyrtojnë, analizojnë çështjet që lidhen me buxhetin, financat dhe transferimet sociale, si dhe shqyrton projektbuxhetin e Kosovës, rishikimi dhe raportet e rregullta të qeverisë së Kosovës. Ndërsa, mbikëqyr Bankën Qendrore, Fondin Pensional, Komisionin Rregulltiv të Prokurimit Publik, Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe komisionin për ndihmë shtetërore.
“Para nesh javën e ardhshme presin disa çështje. Çështjet të cilat janë në pritje që i janë drejtuar Kuvendit, janë si në vijim: ndarja buxhetore për RTK-në, vendimi që është marrë nga Qeveria e Kosovës janar-mars. Dy, është raporti preliminar financiar nga ekzekutivi për ekzekutimin e buxhetit. Tre është raporti vjetor financiar i Qeverisë, katër është KASH (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve) i Kuvendit të Kosovës dhe e pesta është kërkesa e komunës së Mitrovicës për miratim të buxhetit. Ende nuk është marrë ndonjë vendim sa i përket rendit të ditë, këto janë çështje që janë paraprake, sa nuk ka pasur Komision”, theksoi Muja.
Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që administrata të dërgojë fushë veprimtarinë e komisionit tek secili anëtarë.
“Ajo çka është e rëndësishme tek pjesa e fushe veprimtarisë së Komisionit, është mirë të na dërgohen tek projekt propozimi i të gjithë deputetëve dhe të gjithë anëtarëve të këtij Komisioni, që edhe ne të japim kontributin në këtë pjesë”, tha ai.
Përbërja e Komisionit: Armend Muaja kryetar, Mërgim Lushtaku nënkryetar, anëtarë Arta Baralijaj nga VV, Jeta Statovci nga VV, Visar Korenica nga VV, Eman Rrahmani nga VV, Bedri Hamza nga PDK, Avdullah Hoti nga LDK, Pal Lekaj nga AAK, dhe Duda Balje nga komuniteti ‘Multi etnik’.
Mbledhjet e këtij Komisionit pritet të mbahen çdo të mërkurë në orën 10:00, në mbledhjen e ardhshme pritet të diskutohet dhe miratohet plani i punës.