Kosova ka kohë që njihet për mikpritjen e saj, frymën properëndimore dhe jetën e natës. Megjithatë, një gjë që nuk po vihet në pah është shkalla e përparimit që ka bërë në 20 vjetët e fundit dhe talentin veçanërisht në teknologji që ajo e ka, shkruan Forbes.
Shatërvani i Rinisë së Kosovës
Kosova nuk është vetëm vendi më i ri në Evropë, por është gjithashtu një vend i dominuar tërësisht nga të rinjtë e saj. Me një moshë mesatare 26-vjeçare, vendi ka popullsinë më të re nga të gjitha vendet evropiane, ku mosha mesatare është afër 40 vjeç.
Të jesh një vend me një popullsi të re sigurisht që ka përfitimet e veta, shkruan Forbes. Në epokën dixhitale, të kesh një popullsi të re të jep një avantazh të konsiderueshëm; derisa fuqia punëtore e vendeve të tjera konkurrente plaket dhe ngadalësohet, popullsia e Kosovës është në vitet e saj të mira të punës.
Megjithatë, deri vonë, të qenit i ri në Kosovë do të thoshte të ngecësh mes një fluksi ekonomik dhe politik dhe, në të njëjtën kohë, të ndiheshe i izoluar pas një muri vizash. Kjo gjendje e pasigurisë krijoi urgjencë për popullin e Kosovës për të krijuar vende të reja pune cilësore që sigurojnë se talentet e të rinjve të përdoren për mirë.
Talent shumëdimensional
Natyrisht, këto janë vështirësitë që çdo vend në zhvillim duhet t’i mësojë t’i përballojë në mënyrën e vet. Për Kosovën, rinia e saj po dëshmohet se është zgjidhja. Vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë kosovarë duket se po krijojnë një gjeneratë të ndërmarrësve që u është dashur të ndërtojnë një vend të ri nga themelet. Këto vështirësi kanë rezultuar në një vendosmëri të pakrahasueshme për të promovuar vlerën e tyre në një shkallë globale.
Kjo mund të jetë një nga arsyet pse Kosova, me një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, gjeneron një numër të madh të talenteve të klasit botëror (përfshirë medalistët e artë olimpike si Majlinda Kelmendi dhe të famshëm si Dua Lipa dhe Rita Ora) për frymë në tërësi. Sipas artikullit thuhet se edukimi për IT në Kosovë fillon që në moshë të re, nga ku fëmijët nga mosha shtatëvjeçare marrin pjesë në kampe për robotikë, kodim dhe AI, duke iu dhënë atyre një fillim të mirë të karrierës së tyre në IT.
Gjendja e Sektorit Kosovar të TIK-ut
Interneti nuk ka kufij; nuk keni nevojë për vizë për të pasur qasje dhe vetëm një kompjuter dhe disa njohuri lehtësisht të arritshme mund t’ju gjejnë një punë.
Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Kosova ka shkallën më të lartë të përdoruesve të internetit në rajon, me 93 për qind të popullsisë që kanë qasje në internet.
Kjo ka lejuar që sektori i TIK-ut të ngrihet si flakë. Sipas PwC, numri i përgjithshëm i kompanive të regjistruara në sektorin e TIK-ut në Kosovë është 982. Vetëm në vitin 2019 janë regjistruar 621 kompani të reja.
Dhe raporti i PwC thekson se sektori i TIK-ut në Kosovë ka dy përparësi të rëndësishme: qasjen në inkubatorë dhe përshpejtues dhe disponueshmërinë e hapësirës së punës të përballueshme. Ekosistemi ekzistues i TIK-ut në Kosovë është i gjerë, me laboratorë të shumtë, qendra inovative dhe hapësira pune (ICK, ITP, etj.) që u ofrojnë startup-eve mentorim, financim, inkubacion, trajnim dhe hapësira bashkëpunimi. Ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm për startup-et, sepse u jep atyre një fillim, duke u mundësuar atyre të fokusohen në projektin e tyre dhe të mos shqetësohen për çështjet teknike.
Ajo që është vërtet e jashtëzakonshme në lidhje me këto startup-e është se ato ndonjëherë udhëhiqen nga sipërmarrës më të rinj se 20 vjeç, të cilët vijnë me një ide dhe angazhohen për të. Ata kanë një gatishmëri për të ndërmarrë rreziqe sipërmarrëse për të zgjidhur problemet dhe një aftësi të veçantë jo vetëm për të inovuar, por edhe për të përfituar nga risitë e të tjerëve.
Mësime nga Industria e Teknologjisë në Kosovë
Për sa kohë që ka njerëz me kreativitet, do të ketë gjithmonë risi, raporton Forbes. I takon çdo vendi dhe bizneseve të tij që t’i pajisin të rinjtë e tij me mjetet dhe burimet e duhura për t’i kthyer idetë e tyre në realitet.
Nëse po përpiqeni të nxisni inovacionin, merrni parasysh ofrimin e aksesit më të madh në mjetet e duhura, fondet dhe grantet për qendrat e inovacionit, në mënyrë që të shtyni idetë përpara dhe të fuqizoni novatorët e rinj.
Një ekosistem mbështetës është një domosdoshmëri për një industri të suksesshme TIK-u. Kosova është një shembull i shkëlqyer për këtë, pasi këto fonde dhe qendra inovative mund të marrin pjesën më të madhe të meritës për sektorin e lulëzuar të TIK-ut në Kosovë.
Mund të mësosh shumë nga të rinjtë e përkushtuar në vende si Kosova, Estonia apo Izraeli dhe vullneti i tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për vendet e tyre. Me vendosmërinë e tyre, ata dëshmojnë se të qenit nga një vend i vogël nuk është domosdoshmërisht një disavantazh.