Fluks i serbëve për targa RKS, thonë se është koha që ta zbatojnë ligjin

Radhë të gjata të automjeteve janë parë këtë të enjte në qendrën e Kontrollit Teknik dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut për t’i konvertuar targat ilegale serbe në RKS. Qytetarë të shumtë serbë thanë se është koha për të zbatuar ligjin dhe për të pasur liri të lëvizjes

Me targa ilegale “KM”, një qytetar ia mësyu të enjten Qendrës së Kontrollit Teknik në Mitrovicë të Veriut. E kjo është hera e fundit që i shfrytëzoi targat që i lëshon Serbia.

Banori serb, që nuk deshi të identifikohej, është një prej disa dhjetëra nga pjesa veriore që e shfrytëzoi afatin e ri për riregjistrim të veturave në RKS.

Ai tha se është koha t’i jepet fund edhe debatit për luftën.

E kam kryer regjistrimin nga KM në RKS, tash duhet t’i dorëzoj këto tabela, dhe t’i marr RKS. Siç bëjnë të gjithë do të bëj edhe unë, le të ketë paqe të mos ketë luftë”, tha ai.

Qytetarët serbë thanë se u është kufizuar lëvizja me ato ilegale.

“Me lëviz edhe në Kosovë edhe në Serbi, i ke krejt RKS edhe patentë shoferin, edhe regjistrimin e veturës”, deklaroi një qytetar.

Shumë mirë, kur duhet çfarë të bëjmë, qysh të thotë ligji ashtu bëjmë”, tha një tjetër.

Të mërkurën nisi rrjedhja e afatit të ri njëmujor për riregjistrim të veturave. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka njoftuar për numrin e qytetarëve që e shfrytëzuan këtë mundësi, por burime të KOHËS thanë se për dy ditë, 250 qytetarë serbë aplikuan për targat RKS.

Riregjistrimi i veturave për katër komunat veriore bëhet në Mitrovicë të Veriut. E për ta bërë më të lehtë këtë proces, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka njoftuar se ka ofruar hapësira brenda objektit të komunës për zyrtarët e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrës për prodhim të dokumenteve.

Vlerësohet se në veri qarkullojnë rreth 10 mijë vetura me targa ilegale. Pronarët e këtyre veturave patën edhe një afat vitin e shkuar e që vazhdoi edhe në muajt e parë të këtij viti.
Koha.net