Pronari i qebaptores në Klinë rezulton pozitiv në testin për COVID-19
Pas më shumë se dy muajsh (18 prill rasti i fundit), koronavirusi është rikthyer në Komunën e Klinës, e cila është komuna e parë e prekur nga pandemia e COVID-19 në Kosovë,
Nga gjithsej 82 raste të konfirmuara sonte në vend, një prej tyre është nga Peja, por që ka biznesin e tij (qebaptore) në Klinë.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, i cili shtoi se në këtë komunë dje janë testuar vetëm dy persona për COVID-19, ndërsa njëri prej tyre ka rezultuar negativ.
“Rasti që u konfirmua sonte në komunën tonë është nga Peja, por që ka qebaptoren e tij në Klinë. Përveç këtij rasti, është testuar edhe një tjetër, por ai ka rezultuar negativ. Tani janë duke u gjurmuar kontaktet e të infektuarit të sotëm. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe nuk ka simptoma”, ka thënë Elezaj.
Kujtojmë se, Klina së bashku me Vitinë kanë shënuar rastet e para me koronavirus në Kosovë (13 mars). Që nga atëherë e deri sot, në Komunën e Klinës janë regjistruar 6 raste pozitive me COVID-19, prej tyre pesë janë shëruar ndërsa aktiv është vetëm rasti i cili u konfirmua sonte nga IKSHPK./