Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Albert Prenkaj, është pezulluar sot nga detyra me një vendim të ministres së Punëve të Jashme, Meliza Haradinaj.
Prenkaj ka thënë për klankosova.tv se vendimi i sotëm ndaj tij është i pabazë.
“Jam pezulluar nga pozita dhe mendoj se është një vendim i pabazuar. Pezullimet ndodhin pas mbledhjes së një komisioni dhe kjo nuk ka ndodhur në rastin tim”, është shprehur Prenkaj përmes telefonit.
“Pezullimi nuk ka bazë ligjore”.
Prenkaj nuk ka treguar për hapat që do të ndërmarrë duke thënë se “tash për tash po reflektoj pas një vendimi që është marrë sot”.
Sipas vendimit të Haradinajt, Prenkaj është shkarkuar për shkak të dyshimit për shkelje të rënda dhe shkelje të detyrave të punës.
Pezullimi ndaj tij do të vlejë deri në përfundimin e procedurave disiplinore për shkeljet e supozuara.