Nata ka qenë e qetë në veri. Kështu tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Situata ka qenë normale, e qetë”, tha shkurt ai.
Dje në Zveçan, disa persona të armatosur kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur një polic, një të plagosur dhe dy të lënduar.
Për këtë rast, në prangat e policisë kanë rënë gjashtë persona.
Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë.
Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.
Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.
Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri dhe njëri prej policëve u vra.
Autoritetet thanë se sulmuesit – rreth 30 syresh – ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.
Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.
“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha Sveçla, por nuk tha nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.
Të vdekur kanë mbetur edhe tre nga sulmuesit e serb, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë