Në Qendrën e Numërimit dhe të rezultateve (QNR) ka përfunduar mbrëmë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot në mëngjes ka nisur numërimi i votave nga diaspora.
“KQZ-ja ka përmbyllur të hënën në mesnatë numërimin e votave me kusht dhe të votave të personave me nevoja të veçanta. Në mëngjesin e së martës ka filluar numërimi i votave me postë, që kanë ardhur nga data 2-12 shkurt. Janë 56610 zarfe me fletëvotime, të cilat do të numërohen në QNR”, ka thënë Elezi në konferencë për media.
Elezi tha se nuk dihet saktë sa do të marrë kohë numërimi i votave me postë.
“Është e vështirë ta themi se sa ditë do të na duhen për numërimin e këtyre fletëvotimeve, sepse janë 56.610 zarfe me fletëvotime, janë 45 tavolina, në të cilat do të numërohen këto vota”, ka thënë ai.