Nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi- Selmanaj e shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, z. Lorenc Marleku, kanë vizituar fshatin Budisalc, me ç‘rast kanë pritur në vizitë ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Faton Peci, për të përcjellur bashkërisht nga afër fillimin e punimeve në ndërtimin e kanalit të ujitjes.
Projekti ka vlerën afër 300 000 euro, ndërsa gjatësia e tij arrin deri në 3.500 metra me mundësinë e ujitjes me mbi 100 hektar tokë të punueshme.
Nënkryetarja Selmanaj gjatë kësaj vizite falënderoi ministrin Faton Peci për angazhimin e tij që bashkërisht me komunën e Klinës po e jetësojnë një projekt mjaft të rëndësishëm për zonat nëpër të cilat do të implementohet, për shkak të numrit të madh të kultivuesve dhe të mbjellave.
Ajo gjithashtu theksoi se projektet e rëndësisë së tillë në sektorin e bujqësisë mbesin prioritete në të cilat komuna e Klinës po orienton synimet dhe investimet edhe për në fshatrat e tjera.