FILLON HAPJA E PUSEVE PËR SHKOLLA DHE FERMERË

Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, sot ka filluar projektin për hapjen e puseve për furnizim me ujë të pijshëm, nga i cili do të përfitojnë dy shkolla dhe disa fermerë.

Për të parë nga afër fillimin e punimeve, sot drejtori i Bujqësisë, z. Naser Morina, dhe ai i Arsimit, z. Enver Gashi, kanë qëndruar në fshatin Caravik, ku kanë filluar punimet për hapjen e pusit nga i cili do të furnizohet më ujë të pijshëm shkolla e mesme e ulët “Esad Mekuli”, ku vijojnë mësimin mbi 300 nxënës.

Me këtë rast, Drejtori i Bujqësisë, Naser Morina, ka theksuar se Komuna e Klinës ka filluar këtë projekt me synim që të ndihmohen fermerët që kanë problem me furnizim me ujë, por është parë nevojë e domosdoshme që të investohet në hapjen e puseve edhe për shkollat në fjalë.

Ndërsa, Drejtori i Arsimit, Enver Gashi, ka uruar drejtoreshën dhe mësimdhënësit e shkollës për fillimin e punimeve, duke e vlerësuar projektin si shumë të rëndësishëm.

Nga ky projekt do të përfitojnë dy shkolla të mesme të ulëta, “Esad Mekuli” në Caravik dhe shkolla e mesme e ulët në Siqevë, po ashtu edhe disa fermerë. Ndërsa vlera e paraparë e projektit është 25 000 euro.