Fillojnë punimet për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra të Klinës

Kanë filluar punimet për asfaltimin e 7 312 metra rrugë në fshatrat Jagodë, Videjë, Deiq, Zajm, projekt ky i financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe me një kosto prej 889 mijë euro.

Për fillimin e punimeve ka njoftuar kryetari i komunës, Zenun Elezaj, cili është shprehur i lumtur me fillimin e projektit.

Postimi i tij i plotë:

FILLOJNË PUNIMET NË PROJEKTIN NË VLERË 889 MIJË EURO NË FSHATRAT JAGODË-VIDEJË-DEIQ-ZAJM

Kanë kaluar 20 vite pas lufte, janë ndërruar qeveri lokale e nacionale e janë shpenzuar para në projekte të ndryshme në Klinë e Kosovë, por për banorët e fshatrave nga Stupa deri në Zajm për tërë këto vite kanë vazhduar problemet me infrastrukturë rrugore.

Jashtëzakonisht i lumtur që tashmë kanë filluar punimet për asfaltimin e këtyre rrugëve me një gjatësi 7 312 metra dhe me një vlerë prej 889 846 euro, projekt që po i`u jep fund një herë e mirë këtij problemi, por edhe shton sigurinë në komunikacion dhe e bënë shumë më të lehtë qarkullimin rrugor.

Ky është një nga projektet më madhore dhe më të rëndësishme që tashmë po fillon së realizuari, por projekte që ndikojnë në rritjen e mirëqeniës qytetare kemi realizuar e po realizojmë në çdo lokalitet.