Kryetari i këshillit koordinues ndërmjet shoqatave prodhuese dhe përpunuese të qumështit, Ramadan Memaj ka paralajmëruar se nga dita e martë më 29 shtator, të gjithë fermerët, pikat grumbulluese dhe disa përpunues të qumështit do të fillojnë me protesta masive fillimisht në Prishtinë, e mandej në të gjithë Kosovën.
Vendimi i marrë nga MTI për ndalimin e importit të vajit të palmës, sipas qumështarëve, po konsiderohet i mangët, pasi ai nuk parasheh kohën sa mund të qëndrojnë në tregje produktet me këtë përmbajtje, duke iu krijuar mundësi, siç thuhet, matrapazëve që në emër të zbrazjes së stoqeve të kontrabandojnë vajin e palmës dhe të mbajnë këto produkte në treg pafundësisht.
“Ne kontrollojmë vazhdimisht marketet dhe kemi parë që edhe një javë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk ka aspak rënie të numrit apo sasisë së këtyre produkteve në raftet e marketeve tona. Sasia e tepricës sot është 70.000 litra, por nga java e ardhshme kjo sasi të dyfishohet dhe shumë shpejt do të arrijë në 150.000 litra qumësht në ditë që duhet të asgjësohen. Andaj protestat tona nuk do të ndalen deri në largimin e çdo produkti nga raftet e marketeve të Kosovës e të cilat përmbajnë: vaj palme të përziera me qumësht pluhur, hirrë pluhur, proteina, proteina me modifikim gjenetik dhe amidon”, thuhet në letrën dërguar kryeministrit Avdullah Hoti.
Për më tepër, Memaj thotë se Qeveria Hoti ka afat deri më 29 shtator të ndërmarrë masa për heqjen e këtyre produkteve nga tregu, duke përkujtuar se vaji i palmës është kancerogjen dhe gjenotoksik dhe një gjë të tillë e ka vërtetuar edhe Agjencia Evropiane e Ushqimit