Një vlerësim profesional i ekspertit të ekologjise dhe mjedisit Z.Faton Berisha, tregon se cfarë dëmesh do të shkaktohen në qoftëse ndërtohet fabrika e cimentos në Klinë.
Lexoni vlerësimin e tij të plotë më poshtë.
KUNDËR NDËRTIMIT TË FABRIKËS SË ÇIMENTOS NË KLINË
ARGUMENTET SHKENCORE LEGJITIMOJNË KUNDËRSHTIMIN QYTETAR
Ndikimet negative nga ndërtimi i mundshëm i një fabrike çimentoje në Komunën e Klinës do ishin komplekse dhe shumëdimensionale, me efekte zingjirore ndaj njëra tjetrës.
Efektet negative mund t’i ndajmë në katër fusha kryesore të ndikimit: ekologjik, mjedisor, ekonomik dhe social.
I. NDIKIMET NEGATIVE PËR EKOLOGJINË
1. Shkatërrimi i biodiversitetit
Që nga fillimi i ndërtimit të një fabrike çimentoje, punimet do zhvilloheshin në dëm të shumëllojshmërisë biologjike të zonës. Procesi i ndërtimi të fabrikës, hapja e rrugëve për transport, pastaj eksplatimi i mineraleve gjatë operimit do shkaktonin shkatërrim fizik të biodiversitetit.
2. Shkatërrimi i habitateve natyrore
Ndërtimi i fabrikës, hapja e rrugëve për transport, dhe ekplatimi i mineraleve gjatë fazës së operimit, do shkatërronte po ashtu fizikisht vendbanimet e shumë llojeve bimore e shtazore.
3. Shkatërrimi i peisazhit
Bukuritë natyrore të zonës përreth fabrikës do shkatërroheshin, nga një peisazh i bukur natyror, do kthehej në zonë gri, gërmadha të mbuluara nga pluhuri.
II. NDOTJA E MJEDISIT
1. Ndotja e ajrit
Do lirohej pluhur, blozë, si dhe gazra si: CO, CO2, SO2, NOX .
Do ndodhte ndotje masive e ajrit, dhe kur kemi parasysh faktin se kjo fabrikë synon të ndërtohet në një lokacion me lartësi të konsiderueshme mbidetare, atëherë do kishte kushte ideale për përhapje të ndotësve, sepse vet shkarkrimi i tyre do ndodhte në lartësi më të mëdha, si dhe prezenca e erërave do ishte shumë më e shpeshtë, dhe më e fortë, gjë që do ndikontë që edhe pluhuri bashk me gazra të shpërndahej në distanca më të mëdha.
2. Ndotja e tokës
Përpos ndotjes fizike me pluhur e blozë, lirimi i SO2 do shkaktonte krijimin e shiut acidik, i cili kur bie në sipërfaqe të tokës, hyn në reaksion me mineralet ushqyese të tokës, duke bërë gërryerjen e tyre, e cila rezulton me varfërim të tokës
3. Ndotja e ujit
Shiu acidik që gërryen mineralet e tokës, në toka silikate merr me vete sasi alumini, i cili kur arrin në mjedisin e ujrave mbitokësor, ulë pH-në e tyre. Pra nga shiu acidik në këtë rast pësojnë ekosistemet ujore, në këtë rast lumenjtë, sepse pH e ujrave të tyre ulet nën 7 duke u bërë ambient acidik. Studimet tregojnë që në rastet kur pH e ujit të lumit ulet në vlerën 5.5, shumica e vezëve të peshqëve nuk arrijnë të qelin, pra vazhdimësia e jetës së tyre ndërpritet.
III. NDIKIMI NEGATIV EKONOMIK
1. Dëmtim i bujqësisë
Do shkaktohej dëmtim, ulje e rendimenteve, dhe ulje e cilësisë së prodhimeve bujqësore, kjo për arsye se kulturat bujqësore do goditeshin nga ndotja e ajrit në qendrën e tyre të podhimit – në gjethe, gjë që do edhe pengonte edhe zhvillimin e blegtorisë.
Po ashtu bletarët nuk do kishin më rendimente të mjaftueshme mjalti, e as cilësi, sepse nga studimet rezulton që ndotja e ajrit (sidomos era e gazrave) tek bletët shkakton konfuzion, dhe rrjedhimisht i duhet më shumë kohë për mbledhje të nektarit.
2. Kosto shtesë shëndetsore
Njerëzit do fillonin të kërkonin më shumë shërbime shëndetësore, sepse mjedisi i ndotur do ulte cilësinë e të jetuarit, rrjedhimisht imuniteti do dobësohej dhe nevoja për shërbime shëndetësore do rritej.
3. Pamundësimi i zhvillimit të turizmit
Komuna e Klinës është e begatuar me shumë lumenj e mjedise atraktive që paraqesin potencial për zhvillimin e turizmit. Ujvarat e Mirushës si bukuri e rrallë natyrore dhe pasuri kombëtare, si dhe zona arkeologjike në Dersnik me mozaik (e ndërtua në sh.II-II) paraqesin potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Ndërtimi i një fabrike çimentoje, të dy këto pasuri natyrore dhe arkeologjike do i dëmtonte dhe do i nxirrte jashtë mundësisë së përdorimit si potencial turistik.
IV. NDIKIMI NEGATIV SOCIAL
1. Rrezikim i shëndetit, vdekje të parakohshme
Ekpozimi ndaj ndotjes kronike të mjedisit, në veçanti ndotjes së ajrit, tek njerëzit do shkaktonte stres, sëmundje akute, sëmundje kronike, dhe vdekje të parakohshme.
Grupet më të rrezikuara shoqërore do ishin fëmijët, të moshuarit, dhe personat me probleme kardio vaskulare. Sa më i gjatë ekspozimi ndaj një mjedisi të tillë, numri i të prekurve nga sëmundjet do rritej.
2. Braktisje e vendbanimeve
Duke u ballafaquar me probeme të tilla, qoftë mjedisore, ekonomike, shëndetësore, apo sociale, banorët do fillonin të shpërnguleshin nga zona. Pra e gjithë kjo do rezultonte edhe me një braktisje të vendbanimeve.
A sjellë më shumë dëm apo dobi një fabrikë çimentoje në Komunën e Klinës?
– Kam bindjen se të gjitha argumentet më lartë e japin përgjigjen.
Vlenë të theksohet se ndikimet e lartpërmendura nuk do kufizohen në fshatrat përreth fabrikës, nuk do kufizohen as në Komunën e Klinës, por do kenë ndikim shumë më të gjerë për regjionin.
Për fund, duhet të fillojmë të kuptojmë që mjedisi dhe natyra mund të ekzistojnë edhe pa ne llojin NJERI, duhet të fillojmë të kuptojmë që natyra nuk është prona e jona, por ne jemi pjesë e saj.
Si qenie e ndërgjegjëshme kemi obligim moral të mbrojmë mjedisin tonë jetësor, si qenie sociale kemi obligim t’u lëmë mjedis të pastër dhe të shëndetshëm brezave që po rriten, dhe atyre që ende s’kanë lindur!
Msc. Faton Berisha