Fatmir Limaj prezanton ish- kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj kandidat për deputet

I pari i Nismës, Fatmir Limaj ka prezantuar të premten Isni Kilajn si kandidat për deputet.

Limaj e ka quajtur Kilajn si bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtor i etapave të sakrificës.

Ai ka thënë se rikthimi i Nismës në Parlament është i garantuar me koalicionet e ndërtuara dhe me bashkëngjitjen e figurave të dëshmuara si Kilaj.

“Isniu është një ekonomist i diplomuar dhe ka një karrierë të pasur në shërbim të vendit. Ai ka qenë bashkëthemelues dhe komandant i njësitit të orëve të para të UÇK-së, njësiti “Lumi”, angazhim që dëshmon përkushtimin e tij ndaj zhvillimit dhe sigurisë së Kosovës”, ka thënë Limaj.

Pas luftës, ai ka mbajtur pozita të rëndësishme si nënkryetar i Komunës dhe Drejtor për Ekonomi dhe Financa. Isniu ka shërbyer edhe si Shef Ekzekutiv në qeverinë komunale dhe ka dy mandate si Kryetar i Komunës së Malishevës (2007-2013).

Përveç angazhimit të tij në nivelin lokal, Isniu ka qenë Zëvendës Ministër i Buxhetit dhe Financave, si dhe Zëvendës Ministër në Ministrinë e Diasporës.

“Me këtë përvojë të gjerë dhe një angazhim të palodhur për zhvillimin e vendit, ai është i gatshëm të vazhdojë të kontribuojë për të mirën e përgjithshme, duke sjellë vlera në Kuvendin e Kosovës. Rikthimi i fuqishëm i NISMA-s në Parlament është i garantuar me koalicionet e ndërtuara dhe bashkëngjitjen e figurave të dëshmuara si Isniu!”.