Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka konfirmuar se shtetasja italiane që është diagnostifikuar pozitivisht me virusin COVID-19, ka qenë pjesë e organizatës CARITAS të Italisë, e cila vepron në Komunën e Klinës.
“Personi i prekur me këtë virus është dërguar në QKUK ku po merr trajtim, ndërsa ka filluar vendosja në karantinë e disa familjeve me të cilat kjo shtetase ka pasur kontakte. Apeloj tek të gjithë qytetarët që të mos krijohet panik, por që t’i zbatojnë me përpikëri këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH), të rrisin kujdesin ndaj higjienës dhe të ndalojmë përshëndetjet me duar. Ju lus për zvogëlim të lëvizjes dhe zvogëlim të kontaktit me qytetarë të tjerë, si masa preventive”, ka njoftuar Elezaj.
Koha Ditore mëson se aktualisht janë nën karantinë tri familje që kanë punuar dhe jetuar në hapësirat e kësaj organizate, në afërsi të fshatit Leskoc të Klinës.
Haxhi Ibishi, infektolog në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë” në Klinë, ka thënë se shtetasja italiane, e infektuar me koronavirius, ka ardhur nga Italia këtë të diele.
“Tash na pret goxha një punë e madhe. Na duhet të identifikojmë me kënd krejt kanë kontaktuar prej të dielës shtetasja italiane dhe anëtarët e atyre familjeve”, ka thënë Ibishi.
Për shkak të situatës së paraqitur pas diagostifikimit pozitiv të shtetases italiane me virusin COVID-19, shtabi emergjent i Komunës së Klinës, tashmë është duke zhvilluar një takim, ku do të vendosin për masat që do të ndërmerren, e të cilat pritën të jenë të rrepta dhe në bashkërendim me masat e qeverisë.
Shtetasja italiane e moshës 20 vjeçe, është njëra prej dy personave të parë në Kosovë që kanë dalë pozitive me koronavirus. Rasti tjetër është një 77 vjeçar nga një fshat i komunës së Vitisë.