Një varr shekullor është përfshirë në hapësirën e trotuarit të rrugës “Fadil Rashiti”, në Petrovë të Shtimes, ngase familja Rashiti nuk e ka dhënë pëlqimin për zhvendosjen e tij.
Komuna e Shtimes nuk ka arritur ta bindë as mjekësinë ligjore për zhvendosjen e këtij varri, shkruan sot Koha Ditore.
Familjarët thonë se aty janë eshtrat e Halit Rashitit dhe se nuk do të lejojnë zhvendosjen, shkaku i amanetit.
Ekrem Rashiti, familjar i të ndjerit, ka thënë se e gjithë lagjja po e kundërshton këtë rivarrim, ndaj nuk do ta lejojnë as mjekësinë ligjore të intervenojë.
“Komuna e ka marrë pëlqimin për me e realizu projektin, por jo edhe për largimin e varrit. Ne si lagje nuk po lejojmë të rivarroset familjari ynë, sepse prindi i tij e kishte lënë amanet që sa herë të zgjohej në mëngjes ta shohë varrin e të birit para lagjes sonë. Sidoqoftë ky varr nuk pengon asgjë, madje as lëvizjen e qytetarëve, sepse është ngushtuar dhe është mbuluar shumica me kubëza të betonit. Pra, nuk do ta lejojmë askënd që ta rivarrosë atë”, ka thënë Rashiti.
Shqipe Rexhaj, drejtoreshë për Planifikim Urban, Kadastër e Gjeodezi në Komunën e Shtimes, e ka konfirmuar se nuk kanë arritur ta bindin familjen për zhvendosjen e varrit.