Familja Shaqiri nga Sfeçla alarmon Policinë: Për herë të katërt gjuhet me armë zjarri ndaj shtëpisë së tyre

Familja Shaqiri në fshatin Sfeçël të Podujevës është alarmuar pas sulmit të radhës ndaj shtëpisë së tyre mbrëmë pas mesnate. Për herë të katërt brenda një viti, persona të panjohur kanë gjuajtur me armë zjarri, për motive që ende s’dihen. Edhe për këtë rast, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, incidenti i fundit që u shënua mbrëmë, ndodhi pak pas mesnatës, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së familjes Shaqiri.

Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe si rezultat njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes.

Bazuar në informacionet e para, të lënduar nga të shtënat me armë nuk ka, por të dyshuarit kanë gjuajtur me armë mbi 10 herë në drejtim të shtëpisë, raporton Sinjali.

Gëzhojat e gjetura në atë lokacion janë sekuestruar si prova, ndërsa janë kryer edhe ekzaminimet e nevojshme nga njësitë policore.

Viktimat kanë deklaruar se janë të shqetësuar për këto raste që po përsëriten ndaj familjes së tyre, thonë tutje të njëjtat burime.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.

Ndryshe, Sinjali ka raportuar edhe për rastet e mëhershme, kur është gjuajtur në drejtim të kësaj shtëpie.