Familja Krasniqi shpreh mirënjohjen për mbështetjen pas ndarjes nga jeta të nënës Shehide Krasniqi

Familja e heronjve të kombit, Mujë dhe Ali Krasniqi, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet më të thella për të gjithë ata që u qëndruan pranë në ditët e pikëllimit pas ndarjes nga jeta të nënës Shehide Krasniqi.

Në një deklaratë, familja Krasniqi falënderoi bashkëluftëtarët, shokët e të rënëve për liri, si dhe përfaqësuesit institucionalë të nivelit lokal dhe qendror, për mbështetjen dhe mesazhet ngushëlluese të dërguara nga të gjitha trevat shqiptare, transmeton Klina.info.

“Nëna dhe motra jonë, Shehide, do të na mungojë përherë, por kujtimet për të do t’i ruajmë gjithmonë me krenari, duke u mbështetur në trashëgiminë që na la – edukatën e pastër kombëtare dhe dashurinë për Atdheun,” thuhet në mesazhin e familjes.

Familja Krasniqi shpreh mirënjohje të thellë për solidaritetin e treguar nga të gjithë ata që ndanë dhe lehtësuan dhimbjen e tyre në këto momente të vështira.

“Falënderime dhe respekt gjithmonë nga Familja Krasniqi!” përfundon mesazhi./Klina.info/