Një tank sovjetik i makinerisë serbe në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt është dëshmi e luftës. Tanku i bombarduar nga NATO-ja u mbrojt pas luftës nga babai i ndjerë i dëshmorit Liman Rekaj, pavarësisht orvatjeve të shumta plaçkitëse për ta copëtuar për skrap. Ushtarët amerikanë ndihmuan familjen që ta zhvendoste tankun para dyerve.
Forcat paramilitare serbe dëbuan civilët nga shtëpitë e tyre që të maskonin makinerinë vrastare. Ky tank ishte fshehur në shtëpinë e dëshmorit të UÇK-së, Liman Rekaj. Por, tanku sovjetik i forcave serbe do të qëllohej nga bombarduesit e NATO-s.
Pas kthimit të refugjatëve në Kosovë, Aziz Rekaj, babai i ndjerë i dëshmorit, kërkoi ndihmën e trupave amerikane për ta nxjerrë tankun prej oborrit. Por do ta ruante me vendosmëri si dëshmi lufte, pavarësisht përpjekjeve për copëtimin e tij për skrap.
Shkolla e fshatit mban emrin e Liman Rekajt të rënë bashkë me 19 shokë në betejën e Koshares. Rasim Plakaj, shok i fëmijërisë së dëshmorit, thotë se atdhedashuria e Limanit ishte dëshmuar gjatë aktiviteteve vullnetare para se ai të mërgonte në Angli.
Në fshat janë ndërmarrë së fundmi shumë nisma për rregullimin e hapësirave publike. Adnan Rekaj thotë se po planifikojnë t’i ndërtojnë një bazament dhe një pllakat të tankut serb. Kështu, të gjithë vizitorëve do t’u rrëfehet historia e tij. Ky është amanet i babait të dëshmorit.